TESPISHTE TRADICIONALE
Tespishtja është një traditë e hershme e kuzhinës shqiptare, e cila përgatitet kryesisht në zonat veriore të vendit, përfshirë edhe Kosovën. Një ëmbëlsirë unike, me sherbet e cila kombinohet me bajame, por edhe me fruta të tjera të kombinuara që ngacmojnë shijen për t’i provuar menjëherë.
Përbërësit:
250 gr. Gjalpë
500 ml. Qumësht
250 ml. Vaj
1 lugë e mesme Sodë Bikarboni
700 gr. Miell
100 gr. Arra
3 Vezë
Sherbeti:
900 gr. Sheqer
500 ml. Ujë
Sheqer Vanilje
Limon
Udhëzimet:
Gjalpi shkrihet në sobë dhe pastaj i shtohet qumështi, vaji dhe soda bikarboni duke vazhduar përzierjen deri sa të vlojë. Kur fillon të vlojë, i shtohet mielli ngadalë duke përzier vazhdimisht deri sa të skuqet masa rreth 20 minuta, në temperaturë mesatare. Masa e përgatitur vendoset në një enë tjetër, duke hapur brumin në menyrë që të ftohet më shpejtë. Lihet të pushojë 15-20 minuta.
Pasi të ftohet, i shtohen arrat dhe vezët dhe brumi përzihet me dorë. Brumi shtrihet në një tepsi 40 cm. të lyer me gjalpë. Prerja bëhet si në videon që e kemi vendosur më poshtë.
Furra duhet të jetë e nxehtë në 170 gradë, për 50 minuta.
Vazhdohet me sherbetin duke përzier bashkë ujin, sheqerin, sheqer vaniljen dhe limonin deri sa të vlojë rreth 20 minuta.
Pasi të nxirret nga furra, tespishtja pushon rreth 5 minuta deri të largohet shkuma pastaj i shtohet sherbeti i ngrohtë ( jo duke vluar ). Shërbehet pasi të ftohet.
Ju beftë mirë!